Nimor Cosmetics lindi nga një përvojë personale, një ndjesi e thellë se kujdesi për lëkurën është shumë më tepër se pamje – është mënyra si e trajton veten, si e shikon veten, si e do veten.
Pas shumë vitesh studimi dhe specializimi në kozmetikën natyrale dhe organike në Angli, vendosa të krijoj një brand që nuk i shërben vetëm sipërfaqes, por që ndikon thellë në mënyrën si një grua ndjehet në lëkurën e saj.
Besoj se çdo grua meriton një rutinë të thjeshtë, të pastër dhe efektive – që i jep lëkurës ndriçim dhe shpirtit qetësi. Prandaj çdo formulë që krijoj është menduar me kujdes, duke bashkuar fuqinë e natyrës me saktësinë e shkencës, për të sjellë rezultate reale dhe të sigurta.
Pas çdo formule të Nimor qëndron një grua që dikur kishte lëkurë të lodhur, shpirt të mbingarkuar dhe dëshirë për diçka më shumë.
Unë jam Romina Veseli – kimiste, krijuese dhe mbi të gjitha, një grua që beson se kujdesi për veten është rrënja e çdo ndryshimi të bukur në jetë.
Thirrja për të krijuar Nimor më erdhi në një nga periudhat më të ndjeshme të jetës sime – shtatzënia ime e dytë.
Ndërkohë që prisja fëmijën tim, fytyra mu mbush me njolla, më pas me puçra dhe asgjë nuk po më jepte rezultat. Ishte një kohë kur jo vetëm lëkura ime po vuante, por edhe jeta jonë familjare ishte në krizë. Po kalonim një periudhë të vështirë ekonomike dhe emocionale.
Në vend që të dorëzohesha, vendosa të ktheja dhimbjen time në zgjidhje – jo vetëm për veten, por edhe për gra të tjera që ndihen njësoj.
Me dije të thellë shkencore dhe me besim tek vetja, nisa të krijoj formulat e para… në heshtje, me zemrën e mbushur nga dashuria për atë që po lindte: jo vetëm një fëmijë, por një mision të ri.
Sot, çdo produkt Nimor është një copëz e asaj historie
Një kujtesë që edhe nga momentet më të errëta, mund të lindë drita. Një ftesë për çdo grua që ka harruar të kujdeset për veten, të rikthehet tek vetja me dashuri, butësi dhe pa faje.
Unë ia dola. Dhe sot, me zemren plot falënderoj Zotin për çdo hap që më solli deri këtu.
Le të ecim bashkë në këtë rrugëtim vetëdashurie.